Një nga turshitë e mia të preferuara që të mundon pak,por ja vlen mundimi kur i shijon.
Përbërësit: Turshi patëllxhani
- Patëllxhan
- Vaj ulliri
- Kripë kokërrtrashë
- Uthull të bardhë
- Gjethe dafine
- Majdanoz
- Rigon
- Piper
- Speca djegës ( sipas dëshirës)
Përgatitja Turshi patëllxhani:
Fillimisht pastrojmë e lajmë mirë patëllxhanet. I thajmë me pecetë dhe i presim në feta. Marrim një kullonjëse perimesh/makaronash e fillojmë të vendosim fetat e patëllxhanit. Mbi çdo fetë do hedhim kripë të trashë sipër ( gati një lugë gjelle kripë mbi çdo fetë).
Vazhdojmë në këtë mënyrë, (pra duke alternuar fetat e patëllxhanit me kripën), derisa të mbarojmë të gjitha. Në fund vendosim mbi patëllxhanet një peshë sipër dhe i lemë kështu përreth 12 orë,( kujdes vendosni një enë poshtë kullonjëses sepse kullon gjithë uji i patëllxhanit).
Pasi kanë kaluar 12 orë marrim patëllxhanet dhe i shpëlajmë me uthull duke i hequr kripën e tepërt. Pastaj në një pecetë vendosim feta patëllxhani dhe i shtrydhim mirë ( sikur shtrydhim rrobat kur i lajmë). Kështu ikën gjithë uthulla. I vendosim mbi një mbulesë tavoline që të thithë uthullën e mbetur.
Marrim një enë të madhe dhe hedhim patëllxhanet, vaj ulliri,piper,majadanoz,rigon e specat djegës. I përziejmë mirë.
Vendosim fetat e patëllxhanit në vazo një e nga një, ( vazot duhet të jenë të dizinfektuara dhe të thara). Vazhdojmë kështu derisa ti mbarojmë të gjitha. I shtypim fort me dorë nga sipër. Në fund fare i mbushim me vaj ulliri. Mbyllim kapakun dhe i lemë në një vend të freskët. Pasi kane kaluar 24 orë i shikojmë nëse kanë nevojë akoma për vaj ulliri ( duhet të jenë mbuluar me vaj deri në grykën e vazos). Shtojmë vaj ulliri nëse është e nevojshme dhe pastaj mbyllim fort hermetikisht vazot me kapak. Turshitë i ruajmë në një vend të freskët dhe mundësisht mos ti kapi drita.
Konsumojmë turshitë të shoqëruara me një copëz buke të ngrohtë e pak djathë të bardhë…
Ju bëftë mirë!
Na ndiqni ne Instagram:
https://www.instagram.com/p/CFg36sXgEvZ/