Tortë trëndafil

Kjo ëmbëlsirë e quajtur kështu sepse ngjason me boçet e trëndafilit të sapohapur.
Këtë tortë mund ta shijojmë për mëngjes të shoqëruar me një kafe.

Përbërësit

  • 500 gr miell
  • 150 gr brumë i thartuar
  • 1 lugë mjaltë
  • 3vezë
  • 140 gr qumësht
  • 60 gr gjalpë
  • 100 gr sheqer
  • 1 portokalle bio ( veç lëkura)
  • pak kripë
  • Përbërësit për mbushjen
  • 150 gr gjalpë
  • 150 gr sheqer
  • Përbërësit për pjesën sipër
  • 100 gr qumësht
  • pak lëkurë portokalle
  • 50 gr sheqer


Përgatitja
Brumin mund ta zëmë me dorë në një enë të madhe ose me robotin e kuzhinës.
Fillimisht shkrijmë brumin e thartuar ( majanë) me qumështin dhe mjaltin. Më pas shtojmë miellin e situr dhe vezët një e nga një. Pastaj shtojmë gjalpin e zbutur. I përziejmë mirë. Shtojmë sheqerin dhe lëkurën e portokalles. Në fund fare shtojmë pak kripë. Zëmë brumin derisa të arrijmë një masë homogjene.

I japim brumit një formë të rrumbullakët dhe e vendosim në një enë të mbuluar me pecetë kuzhine. Lëmë të pushojë brumi derisa të dyfishohet.
Pastaj marrim brumin dhe hapim një petë në formë drejtëkëndëshi. Përgatisim mbushjen brenda duke rrahur gjalpin e zbutur me sheqerin.

Lyejmë petën me mbushjen e përgatitur. Pastaj mbyllim petën në formë role. Presim rolenë në 7 pjesë. Cdo pjesë e mbyllim nga poshtë në mënyrë që gjatë pjekjes mos të dalë mbushja ( shiko foto).
Vendosim pjesët që ngjajnë me një trëndafil , në një tavë me letër furre. Lëmë ëmbëlsirën të pushojë derisa të dyfishohet.

Pastaj e vendosim të piqet në furrë të nxehtë 180° për 40 minuta.
Për 20 minutat e para të pjekjes mbulojmë ëmbëlsirën me letër furre.
Ndërkohë në një enë hedhim qumështin, sheqerin dhe pak lëkurë portokalle.
Pastaj pas 20 minutash e nxjerrim ëmbëlsirën dhe e lyejmë me masën e përgatitur. Me lugë hedhim sipër tortës gjysmën e masës.

Vendosim tortën të piqet përsëri në furrë. Para se ta heqim nga furra i hedhim dhe pjesën tjetër të masës së përgatitur dhe pjekim dhe 5 minuta të tjera ëmbëlsirën.
Nxjerrim ëmbëlsirën nga furra dhe e lëmë të ftohet pak minuta e më pas e shërbejmë të ngrohtë. Çdonjëri mund të marrë një trëndafil. Tortën mund ta ruajmë për disa ditë ( nëse tepron😀) dhe e ngrohim disa minuta para se ta shërbejmë.

https://www.instagram.com/p/CJa1mNNh1kn/

Ju bëftë mirë!